Radhë në Kakavijë/ Qytetarët presin për tamponin, pezullohet puna nga pala greke, flasin qytetarët
  • 3 years ago
Emigrantët shqiptarë që kishin ardhur për pushime, po kthehen masivisht drejt shtetit grek. Kjo vihet re nga radhët e gjata që janë krijuar në doganën e Kakavijës që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm. Karvani i automjeteve që presin në radhë ka shkuar deri në 6 kilometra.

Gazetari ynë në Gjirokastër, Piro Nase raporton se qytetarët shqiptarë presin për orë të tëra për të bërë tamponin për Covid-19. Shteti fqinj e ka vënë me detyrim bërjen e tamponin në doganë për shtetasit shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe minoritarë me kartën përkatëse.

Sic shihet në pamje, qytetarët nuk po respektojnë distancimin fizik gjatë qendrimit në sportele, ndërsa disa prej tyre janë pa maska, duke rrezikuar përhapjen e pandemisë. Por punonjësit e palës greke kanë paralizuar punën për shkak të intensitetit të lartë të lëvizjeve, pasi nuk e përballojnë dot fluksin.

Një nga qytetarët që ndodhet në doganën e Kakavijës,  Irena Lame thotë se duhet të merren masa dhe të koordinohet puna sepse po qëndrojnë në duke pritur prej orësh në temperaturën 38 gradë celsius.

Kujtojmë se pikat e kalimit të Kakavijës dhe Kapshticës funksionojnë vetëm gjatë ditës janë të mbyllura nga ora 22:00 deri në orën 06:00 që prej 6 gushtit në hyrje dhe në dalje të Greqisë. Ndërsa më 16 gusht, çdo shtetas që do të hyjë në territorin grek përmes pikës kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës do të karantinohet për 7 ditë.
Recommended