U denoncua i humbur në 'Pa Gjurmë', gjendet i mbytur në një kanal në Shkozë vogëlushi 5-vjeçar
  • 4 years ago
TIRANË - Pas dy javësh i humbur, 5-vjeçari Klodian Hashimi gjendet i pajetë, i mbytur në një kanal kullues pranë lumit të Lanës tek banesat sociale në Shkozë, ku familja e tij jeton. Vogëlushi ishte denoncuar më parë i zhdukur në emisionin "Pa Gjurmë" në Report Tv.

Klodian Hashimi rezultonte i humbur në 17 shkurt të këtij viti, nga parku i lodrave pranë banesës në Shkozë. Familjarët e gjetën shumë pak metra larg shtëpisë së tyre tek banesat sociale në Shkozë, por fatkeqësisht të pajetë. 

Në një njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë, policia e Tiranës tha se "rreth orës 12:15 fëmija u gjet i dekompozuar në Shkozë, në një kanal kullues në afrësi të banesave sociale dhe ngjitur me lumin e Lanës"

"Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku paraprakisht dyshohet se është mbytur aksidentalisht", njoftoi policia.

Konfirmimin e parë e dha në redaksinë e Report Tv, xhaxhai i tij i cili është njoftuar nga i ati i Klodianit, se 5-vjeçari u gjet i pajetë. Ai hedh akuza se edhe shteti duhej të tregonte më kujdes, pasi në atë zonë rrezikohet jeta e shumë fëmijëve të tjerë që mund të kalojnë rrethimin me tela dhe të përfundojnë në lumin e Lanës.  

"E kanë gjetur brenda në ujë përmbysur, 100 % ai është. për atë dyshohet, se nuk është në kërkim asnjë tjetër fëmijë në lagje. Vëllai më tha që është Klodiani. Është një pellg me ujë, mund të ketë kaluar ndonjë gardh e të ketë rënë. Unë jam në Pogradec, tani po vij, por për Klodianin më thanë se është ai", tha në një lidhje telefonike për Report Tv Adriatik Trëndafili, xhaxhai i djalit.

Kjo zonë është ende kantier ndërtimi, pasi po vijon projekti për rehabilitimin e bregut të Lumit të Lanës në segmentin nga Materniteti i Ri deri në Shkozë.

Sipas deklarimeve të familjarëve më 20 shkurt në emisionin "Pa Gjurmë", 5-vjeçari u la i vetëm për rreth 30 minuta duke luajtur me fëmijët e tjerë dhe pastaj u zhduk pa asnjë gjurmë. Ndërsa sot, fatkeqësisht morën lajmin tragik.
Recommended