Report TV - Shtohet me 60% paga e prokurorëve të SPAK-ut edhe gjyqtarëve specialë për vështirësi
  • 4 years ago
Numri gjithnjë e në rritje i dosjeve të referuara dhe burimet e kufizuara njerëzore kanë krijuar një situatë të vështirë në Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën Speciale, të ngritura së fundmi në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, për goditjen e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Krahas çështjeve nën hetim apo nën gjykim në kompetencë të SPAK-ut, Prokuroria e Posaçme dhe më pas Gjykata Speciale do të shqyrtojnë edhe dosjes për pasuritë e krimit të referuara nga Operacioni Forca e Ligjit. Në këto kushte, gjatë seancës plenare të 12 shkurtit, Kuvendi ka miratuar një shtesë në masën 60 për qind të pagës bruto fillestare, për prokurorët e SPAK-ut si dhe për gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ligjvënësit, për të miratuar shtesën në pagën e prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve specialë, kanë ndryshuar ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Paga e prokurorëve dhe gjyqtarëve në fjalë futet në kategorinë më të lartë të pagave në drejtësi, konkretisht në shkallën (G3). Magjistratët e shkallës (G3) e kanë pagën se drejtori i drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, plus 106 për qind. Ndërkaq, të gjithë magjistratët marrin edhe shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Ndërsa Prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës, por ky parashikim nuk i përfshihen prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët specialë.
Recommended