Arben Kraja drejton komisionin e vlerësimit për kreun e BKH-së, 3 kanidatura vijnë nga SHBA

  • 4 years ago
TIRANË - Është krijuar Komisioni që do të vlerësojë aplikantët për Kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ky komisioni vlerësimi do të kryesohet nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion, Arben Kraja, ndërsa dy pjesëtarët e tjerë janë, Eneid Nakuci e Behar Dibra.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se në SPAK për kreun e BKH ka kandiduar edhe kreu i Taks Forcës "Forca e Ligjit" në Policinë e Shtetit, Artan Shkëmbi. Një tjetër kandidat është prokurori Adnan Xholi. Ndërsa mësohet se tre kandidatura vijnë nga shqiptarë që jetojnë në SHBA ndërsa një tjetër vjen nga Kanadaja. Deri më tnai ku jemi një javë përpara mbylljes së aplikimeve, janë 6 kandidatë që pretendojnë zgjedhjen në krye të BKH.

Ndërkohë burime për Report Tv, bëjnë me dije se Drejtori i Policisë së Shtetit , Ardi Veliu, mëngjesin e sotëm ka patur edhe një takim me të gjithë Oficerët e Policisë Gjyqësore të SPAK , Policisë dhe të Prokurorisë, për hetimin e krimeve që janë kompetencë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara pak ditë më parë u ka bërë thirrje punonjësve të Policisë e prokurorëve që të aplikojnë për të qenë pjesë e strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit.  Kjo thirrje ka ardhur në ditën e nisjes së aplikimeve për 60 vendet e hetuesve që do të jenë pjesë të BKH-së.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër mbështetësit kryesor të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Po kështu grupi i 60 hetuesve të BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara. Kjo strukturë është quajtur ndryshe edhe si FBI-ja shqiptare.

Recommended