Report TV - Ekzekutimi i Kastriot Reçit ende pa autor, qitësi profesionist dyshohet vrasës me pagesë

  • 4 years ago
RRËSHEN - Vrasja biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshen, vijon të mbetet pa autor. Policia ka ushtruar kontrolle të shuma në zonën e Mirditës si dhe janë marrë në pyetje disa persona por ende asnjë rezultat në identifikimin e autorëve.

Sipas veprimeve hetimore rezulton se autori i ngjarjes të jetë qitës profesionist, kjo duke ju referuar mënyrës së ekzekutimit të 47-vjeçarit Reçi. Dyshimet janë që kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë.

Autori ka qëlluar me snajper nga një distance afro 200 metra dhe ka qenë i saktë në shënjestrën e tij, duke lënë të vdekur në vend Kastriot Reçin duke mos dëmtuar asnjë person tjetër përreth zonës.

Prova të forta për grupin hetimor është arma e krimit si dhe parukja që ka përdorur autori që u gjetën në afërsi të tregut të qytetit të Rrëshenit, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për tu analizuar në laboratorin e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu po verifikohen me imtësi dhe kamerat e sigurisë, dy prej të cilave kanë filmuar autorin e ngjarjes, por edhe automjetin me të cilin ka ardhur.

Duke qenë se autori ka qenë i veshur si grua identifikimi i tij nga pamjet filmike është mjaft i vështirë. Ndërkohe po verifikohet edhe telefoni i viktimës për të parë bisedat telefonike apo dhe mesazhet e kohëve të fundit me ndonjë person të dyshimte.

Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper rreth orës 11:00 të paradites së të martës, teksa po hynte në lokalin e tij në qendër të qytetit të Rrëshenit.

Recommended