Një muaj pas tërmetit tragjik, Report TV vëzhgon situatën në Durrës, Thumanë e Bubq
  • 4 years ago
25 dhjetori i lindjes së Krishtit nuk ngjalli asnjë atmosferë festive në Thumanën thuajse të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, e një atmosferë e zbehtë ishte edhe në qytetin e Durrësit, vende ku u shënuan dëmet më të madhe dhe jetët e humbura nga lëkundja me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter.

Shumë banorë janë të akomoduar në banesa me qira, të tjerë në hotele, ndërsa banorët në zonat rurale vijojnë të qëndrojnë ende në çadra pranë shtëpive të tyre të shpallura të pabanueshme ku kanë bagëtitë dhe tokat bujqësore. Gazetarja Klesiana Omeri ishte sot në Thumanë, aty ku u shënuan 22 viktima, ndërsa u shembën 7 pallate, 6 prej të cilëve 5 katësh dhe një 3 katësh. Godinave që zunë jetë nën rrënoja nuk i ka mbetur më asgjë, përveçse mbetjeve të fundit nga shembja e tyre. Shumica e banorëve janë të strehuar në Shëngjin. Ndërsa me planin e qeverisë për rindërtimin e Shqipërisë pas kësaj fatkeqësie tragjike që preku vendin, pritet që shtëpitë e reja të mos ndërtohen më në Thumanën ku vetë banorët nuk duan të jetojnë më nën kujtimet e trishta të vdekjes dhe tërmetit tragjik ku humbën njerëzit e zemrës. Banesat e reja pritet të ndërtohen në qytetin e Krujës, ndërsa të shumta janë donatorët që janë solidarizuar me vendin tonë edhe në fazën e rindërtimit.

Në Durrës, gazetarja Xhensila Kodra, solli një panoramë të situatës në qytetin bregdetar, ku pati dhjetëra jetë të humbura. Me hetimet e nisura, deri më tnai ka rezultuar se pasojat më fatale u shkaktuan si pasojë e gabimeve njerëzore, abuzimit me ndërtimet me strukturë të dobët, që u rrënuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Deri më tani në Durrës janë shembur 30 objekte të shpallura të pabanueshme, 90 të tjera kryesisht në vijën bregdetare do shemben.

Ndërkohë, sipas banorëve deri në datën 3 Janar i është pohuar se mund të qëndrojnë në hotele. Pas datës 3 janë të detyruar të kthehen në shtëpitë e tyre, ose të gjejnë në shtëpi me qira. Ata thonë se shtëpitë më të afërta ku duan të qëndrojnë janë në zonën e plazhit. Banorëve i është kërkuar të marrin fillimisht bonusin e qirasë. Banorët thonë se në Bashkinë e Durrësit kanë marrë vetëm njoftimin për përzgjedhjen e shtëpisë por jo për shifrën që do të përfitojnë.
Recommended