Hahn: Vendimi lidhet vetem me zhvillimet ne BE

  • 5 years ago
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, ishte i drejtpërdrejtë pak orë përpara mbledhjes së krerëve të Këshillit Europian. Në një komunikim për mediat në krah të Kryeministrit Edi Rama në Bruksel, ai tha se nëse vendimi për negociatat do të jetë negativ, kjo nuk lidhjet me ndonjë dështim të Shqipërisë, por me zhvillimet brenda Bashkimit Europian.
"Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillon, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne. Sa i takon komisionit, do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit".
Qëndrimin e Komisionerit Hahn, Kryeministri Edi Rama e artikulon prej kohesh dhe përsërit se pavarësisht vendimit të datës 18, qeveria e tij nuk do t?i ndalë reformat.
"Zoti Hahn e shprehu fare qartë. Ne e kemi bërë atë që na është kërkuar. Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi. Kjo do të thotë që, nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës".
Hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që mbështetet nga 25 vende të unionit ia kanë kërkuar Këshillit Europian edhe dy grupimet më të madhe politike, e djathta që përfaqësohet me Partitë Popullore Europiane dhe e majta me Partitë Socialiste Europiane.

Recommended