Ishte përjashtuar nga policia, Malko u punësua inspektor pyjesh, pas vrasjes ikën Kryeinspektori

  • 5 years ago
TIRANE - Zbardhen detaje të reja për ish-policin Santiago Malko që u ekzekutua në datë 27 gusht në zonën e 'Xhamllikut' në Tiranë nga persona ende të paidentifikuar. Sipas Dosja.al Malko pas përjashtimit nga radhët e policisë së shtetit ka qenë pjesë e Inspektoratit të Mjedisit dhe Pyjeve. Lajmi konfirmohet nga të afërm të Malkos për Report Tv. Ndërsa Shqiptarja.com mëson nga burime pranë ministrisë së Mjedisit se Kryeinspektori Armando Lamaj ka dhënë dorëheqjen nga posti pak ditë pas vrasjes së inspektorit. Në dorëheqje Lamaj argumenton se arsyet kanë qenë personale, por fakti që ka ardhur pas vrasjes së Malkos ngre dyshime.

Por kush ishte Santiago Malko dhe si u vra? Ai rezulton të ketë qenë mik i ngushtë dhe me Ervis Martinaj, biznesmenin e lojërave të fatit. Malko njihej në kartotekën kriminale të policisë si kontigjent kriminal dhe i përfshirë në disa ngjarje me armë në Tiranë. Përfshirja e fundit e tij në ngjarje, ka qenë në masakrën e 4 tetorit 2018, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj, Elio Hato dhe i vrarë Fabian Gaxha. Në atë periudhë, Santiago Malko, u shpall në kërkim policor por pas qetësimit të situatës, Malko u vetëdorëzua në polici ku dhe ka shpjeguar pozicionin e tij në këtë ngjarje. Në pamjet filmike që ka transmetuar Report Tv për këtë ngjarje Malko shfaqet me një kapele, teksa hyn në lokalin ku ndodhi përplasja. Ndërkohë ngjarja tjetër ku ai u përfshi në veprimtari kriminale ka ndodhur në prill të 2016 për një borxh me dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi, teksa më pas u përjashtua nga radhët e policisë së shtetit duke u punësuar në radhët e Inspektoratit të Pyjeve në Tiranë.

Recommended