Report TV - Përplasja institucionale/ Rregullat e reja, si do rrëzohen dekretet e Metës në shtator
  • 5 years ago
TIRANË-Mazhoranca ndryshon rregullat, duke shkurtuar kohën dhe procedurat për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit për rikthimin e ligjeve të miratuara në Kuvend. Ndryshimet pritet t?i përgjigjen intensitetit të kthimit të ligjeve nga presidenti aktual Ilir Meta.

Vetëm gjatë kësaj jave, kreu i shtetit Ilir Meta, ka vendosur të rikthejë për rishqyrtim në Kuvend pesë ligje, konkretisht ndryshimet në Kodin Penal, ligjin për koncesionet dhe PPP-të, ligji për miratimin e kontratës për rrugën Milot-Balldren, ligjin për miratimin e kontratës për rrugën Orikum-Llogara dhe ligjin për Akademinë e Shkencave. Përfaqësuesit e shumicës, Taulant Balla dhe Elisa Spiropali kanë paralajmëruar se këto dekrete do të rrëzohen menjëherë në shtator. Po cilat janë rregullat e reja për shqyrtimin e dekretit të Presidentit? Në seancën e fundit të sesionit të kaluar, 19 korrik 2019, u miratuan me 106 vota pro ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Mes 75 neneve të ndryshuara u amendua edhe neni 86, për shqyrtimin e dekreteve të kreut të shtetit për kthimin e ligjeve. Varianti i ri i miratuar parashikon që dekreti i Presidentit për rishqyrtim ligji futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit dhe se komisioni përgjegjës përgatit raportin për seancën plenare me propozimin për pranimin ose rrëzimin e dekretit të Presidentit brenda 4 javëve nga data e depozitimit të tij në Kuvend. Ndërkaq, varianti i mëparshëm parashikonte që komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Pra, ndryshimi i miratuar përgjysmon afatin brenda të cilit komisioni përgjegjës duhet të paraqesë në Kuvend raportin për miratimin apo rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit.
Recommended