Kuvendi miraton dekretet e Metës për ndryshimet në qeveri, opozita braktis seancën

  • 5 years ago
Maxhoranca miratoi sot në një seancë të jashtëzakonshme e cila zgjati rreth 30 minuta dhe u shoqërua me debate dhe tensione me opozitën, tetë dekretetet e presidentit Ilir Meta për ndryshimet në qeveri. Që në nisje të seancës së Kuvendit, opozita me kërkesë të Edmond Spahos dhe Petrit Vasilit, përkatësisht kryetar i grupit parlamentar të PD dhe LSI, kërkoi debate për dekretet, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga maxhoranca si e pabazuar në rregullore. Shumica parlamentare përmes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kërkesa e opozitës nuk është e parashikuar në asnjë nen të rregullores së Kuvendit. Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi tha se nuk ka ndodhur kurrë në të paktën 31 vite, që seanca për votimin e dekreteve të ministrave të shoqërohet me diskutime.

Pas debateve, opozita braktisi seancën dhe mbajti të bllokuar foltoren e Kuvendit për disa minuta, ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh me tone të ashpra kur akuzoi Ramën se i mbylli gojën opozitarizmit, duke moslejuar debatin për dekretet e Metës si dhe shtoi se largimi i kryeministrit është emergjencë kombëtare. Teksa opozita linte ulëset e Kuvendit, maxhoranca votoi tetë dekretet e Metës për ndryshimet në qeveri përfshirë edhe emërimin e Erion Braçes në postin e zv/kryeministrit dhe Elisa Spiropalit në ministrinë e re që rikrijohet pas më shumë se një viti, atë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Dekreteve i mungon emri i shkarkimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, pasi presidenti Meta refuzoi propozimin për emërimin e Gent Cakajt në vend të tij dhe për rrjedhojë nuk ka dekretuar as lirimin e tij nga detyra. Ky ngërç detyroi kryeministrin Edi Rama t'i propozojë Metës emrin e vet për ministër të Jashtëm, propozim për të cilin Meta s'është shprehur ende.

Recommended