Report TV - Tre bashki një sportel për pasaporta në Sarandë, irritohen qytetarët

  • 5 years ago
Qytetarët e tre bashkive në jugun e vendit, Sarandës, Delvinës dhe Finiqit po përballen këto ditë me radhë ta gjata dhe pamundësi aplikimi për kartat e identitetit dhe pasaporta biometrike. Ardhja për pushime e emigrantëve, e cila shfrytëzohet edhe për nxjerrjen e ID-së dhe pasaportave të reja ka bërë që radhët në të vetmin sportel që ndodhet në Sarandë të krijohen duke filluar nga mesnata.

"Kemi ardhur që në 02:00 të natës. Jam vendi i 30 (në radhë) se kishin ardhur shumë të tjerë më përpara. Këtu është kaos. Disa janë me fëmijë. Disa janë të sëmurë" tha njëri.

Ndërsa një tjetër qytetar i irrituar u shpreh "Në Shqipëri funksionon kush është i fort, kush ka pistoletën dhe kush ka mikun. Të harrohet radha dhe lista".

Një tjetër qytetar thotë se ka sjellë kunatin për të zënë radhën që në mëngjes. "Kam sjellë kunatin që të zëre radhë që në mesnatë dhe jam e 15".

Qytetarët ankohen se pavarësisht se mund të bësh pagesë për kuponin për aplikim të përshpejtuar për 3 ditë, këtë shërbim nuk mund ta marrësh, pasi nuk mund të aplikosh për shkak të fluksit.

"Kam paguar 195 mijë lekë për kupon që ta marr shpejt. Kam tre ditë këtu dhe akoma nuk kam mbaruar punë. Nuk e di dhe sa do të vonojë" tha një tjetër.

Qytetarët apelojnë për shtimin e sporteve të shërbimit, pasi kjo situatë po ju hap problem në vendet e tyre të punës në vendet ku ata jetojnë.

Recommended