Vendimi i gjykatës për 'malin e Tomorrit'/Firmat kërkojnë të nisin punën, banorët në protestë
  • 5 years ago
BERAT-Dhjetëra banorë kanë dalë në protestë për të bllokuar nisjen e punimeve në guroren në Malin e Tomorrit, pas vendimit të gjykatës Administrative që rrëzoi VKM-në e qeverisë për shpalljen ?Park Kombëtar.

Siç raporton gazetari i Report Tv, firmat kanë vendosur të rifillojnë sot punën pas pezullimit prej 22-muajsh të punës në këtë zonë, por banorët nuk i kanë lejuar. Ato kanë paralajmëruar se protesta e tyre do të përshkallëzohet në ditën e vijim, por në kundërpërgjigje të tyre janë paraqitur përfaqësues nga firma me vendimin e gjykatës në duar kërkojnë zbatimin e tij. Të pranishëm janë edhe forcat e policisë për të parandaluar një përplasje të mundshme mes banorëve dhe punëtorëve të firmave, ku në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës në Berat dy ditë më parë është mbajtur një aktivitet sensibilizues për të kundërshtuar atë ku i pranishëm ka qenë ministri i Turizmit Blendi Klosi, prefektja e qarkut të Beratit si dhe banorë të zonës që me pankarta në duar kundërshtuan vendimin e dhënë nga gjykata për të mos zgjeruar zonën e mbrojtur në Tomorr. Klosi tha se "lufta" për të mbrojtur pasuritë natyrore është e pa kthyeshme dhe se do t'i shkojnë deri në fund për ta hedhur poshtë vendimin. Në fund u nënshkrua edhe një peticion për të kundërshtuar këtë vendim të Gjykatës Administrative.
Recommended