Report TV - Intervista e plotë,/Gaqo Bushaka: Humori im dhuratë nga perëndia

  • 5 years ago
Një çantë prej lecke, rroba edhe këpucë të grisura. Kështu e kujton fëmijërinë ?Babai i Çufos?, Gaqo Bushaka, teksa na rrëfen kushtet e vështira ekonomike në të cilat është rritur, fillimisht në Gjirokastër, e më pas në një dhomë plot lagështirë në Tiranë. Teksa na tregon, se as vet nuk e di, se cili është burimi i humorit të tij, që depërton nëpërmjet përrallave tek lexuesit e vegjël, shton se padiskutim, që kjo nuk vjen nga fëmijëria e trishtë apo nga dy prindërit e tij, të cilët asokohe nuk dinin që të hidhnin as firmën.

Zoti Bushaka, jeni një nga fituesit e çmimit të fondit ?Krijimtaria letrare për fëmijë?. Si ndiheni?

Kam shumë kohë, që çmimet nuk më emocionojnë më. Në përgjithësi këto poezi janë për kopshtet, për fëmijët e vegjël, jam munduar, që t?i sjell në trajtë përralle, se unë nuk shquhem në poezi. Edhe pse poezia është një gjini që sot po na mungon. Është një lloj kënaqësie edhe për moshën, sepse mund të mposhtë kështu edhe një lloj mërzie që kam ndaj kësaj qeverie, e cila nuk më ka dhënë akoma pensionin e veçantë, që unë e kam marrë që prej vitit 2009.

Përpos kësaj ju keni rreth gjysmë shekulli që shkruani libra për fëmijë. Çfarë e ka mbajtur ?gjallë? penën tuaj?

Kam kohë që shkruaj, por unë në përgjithësi punoj shumë ngadalë, për Çufon më është dashur 20 vite edhe nuk kam nxjerr as lekët e kafesë, nëse puna do të ishte vetëm për lekë. Por, prej pesë vitesh jam akoma duke punuar për librin e radhës, që është ?Çufoja në Amerikë?.

E megjithatë, si ndiheni kur breza të tërë janë rritur me librat tuaj, por edhe vazhdojnë që të marrin çdo ditë emocione prej tyre, jo më kot ju quajnë edhe ?Babai i Çufos??

Natyrisht që më vjen mirë, sepse Çufoja është shitur mbi 350 mijë kopje, bashkë me ribotimet. Edhe për mua nuk ishte keq, sepse duke u bërë shumë kopje, mund ta blinin të gjithë. Ndërsa, sot që ne flasim për letërsinë, unë nuk e di nëse shkon në fshat kjo letërsi. Pasi nuk mundet që të kulturohet një shoqëri, që librin e përdor vetëm një grup njerëzish. Shumë artistë edhe shkrimtarë e kanë bazën në fshat. Nëse nuk arrijnë që fëmijët ta marrin këtë në shkolla, për mua është një problem. Kam ndier kënaqësi, që për librat e mi kanë folur përherë, kjo ka mposhtur edhe pakënaqësitë ekonomike.