Report TV - Pasuria fundos Zaganjorin! Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Lartë
  • 5 years ago
TIRANE - Kolegji i Posacëm i Apelimit vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë, me një vendim të formës së prerë dhe që hyn në fuqi menjëherë, pasi i gjeti probleme me pasurinë.

Nga sot Gjykata e Lartë Gjykata e Lartë mbetet vetëm me një gjyqtar. Ai është Ardian Dvorani, i cili njëherësh është zgjedhur kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Deri në momentin e emërimit të krytarit të ri të Gjykatës së Lartë, Dvorani merr kompetencat e përkohshme të kryetarit. Këtij të fundit i ka mbaruar mandati që në vitin 2014, por që sipas ligjit mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet.

Në momentet që KPA ka dhënë vendimin, Zaganjori nuk ka qenë i pranishëm në sallë.

Sipas KPA-së, kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mbulon pasurinë me burime të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tij jashtë shtetit, gjyqtari nuk justifikon shumën e shpenzimeve.

"Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, subjekti Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme. Ai nuk arrin të justifikojë pasuritë. Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë", tha relatorja e seancës Albana Shtylla.

Në fillim të korrikut është hapur gara për anëtarët jo gjyqtarë që do të garojnë për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë. Gara e çelur më 9 korrik 2019 u mbyll pardje, ndërsa dje është zbardhur lista e plotë me 21 kandidatët jo gjyqtarë për Gjykatën e Lartë. Pjesë e listës janë edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku si dhe kreu i Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi. Në ditët në vijim Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të kryejë verifikimin e kandidatëve sipas ligjit, duke renditur më pas një listë me kandidatët e kualifikuar. Lista do t?i dërgohet Presidentit për miratim. Sipas Kushtetutës, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Pasuri si shtëpia, një dyqan, garazhi dhe një bibliotekë ishin gjetur me probleme nga verifikimi i Komisionerit Publik.Ndërsa vetë Zaganjori, që në këtë seancë të Kolegjit të Apelit nuk ishte i pranishëm, është mbrojtur më herët duke thënë se ajo ishe pronë e bashkëshortes ndërtuar në 1997 kjo e dokumentuar edhe me foto gjatë ndërtimit e banimit ndër vite aty.
Recommended