Hajdari 'zbërthen' pse shqiptarët nuk shkuan në votime dhe çuditet me protestën e Bashës
  • 5 years ago
Deputetja Rudina Hajdari komentoi në Repolitix, në Report Tv, vendimin më të fundit të kryedemokratit Lulzim Basha për të vijuar me protestat, ku e radhës do të jetë të hënën, më 8 korrik.

Ajo tha se nuk e kupton se cila është arsyeja që Basha del në protestë, duke rrëzuar pretendimet e tij se zgjedhjet e 30 qershorit ishin fitore për PD-në nisur nga fakti që 85% e shqiptarëve nuk morën pjesë në votime. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat tha se 30 qershori ishte një goditje për PD-në nga qytetarë të shumtë që shkuan në votime duke dhënë vota qëllimisht të pavlefshme, vetëm për të shprehur qëndrimin e tyre kundër bojkotit të opozitës. Sipas Hajdarit, Partia Socialiste ruajti mbështetësit e saj si në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

"Nuk tha pse duhet të jetë kjo protestë kombëtare. Këto janë deklarata që ushqejnë një mentalitet që e dëmton PD-në se ky është momenti që ata duhet të reflektojnë se cili duhet të jetë hapi dhe duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse do të ketë protesta nuk duhet të jenë të dhunshme dhe zoti Basha duhet ta cilësojë këtë, duhet t'i sigurojë shqiptarët që nuk duhet të sjellë dhunë. Nuk e kuptova cila është arsyeja e protestës, në emër të kujt po dalin dhe çfarë duan të arrijnë. Nuk e di nëse dolën në protestë që të thonë se fituan referuar mospjesëmarrjes në zgjedhje. Në kushtet që u bënë zgjedhjet shumë njerëzit e kanë pasur të pamundur se do etiketoheshin si socialistë tradhtarë po të shkonin...Ishin kushte shumë të vështira dhe shumë qytetarë nuk kanë mundur të shkojnë në zgjedhje vetëm për shkak të situatës që dihej se përse ti po shkojë në zgjedhje, të votojë një kandidat të PS-së. Ata që kanë vajtur për hir të detyrës për të votuar, janë cilësuar si socialistë, kur kemi pasur edhe shumë fletë të pavlefshme. Këta refuzuan faktin që mos të merrnin pjesë në zgjedhje dhe fakti që i etiketojmë këto zgjedhje si të PS-së dhe çdo njeri që shkoi si të PS-së dhe themi që PD mori 85% të mbështetjes qytetare, nuk është një analizë e qartë dhe e drejtë.

Pjesëmarrja tregon që PS ka mbajtur mbështetjen e saj. Edhe në 2017-ën kjo ka qenë përqindja e mbështetësve të PS-së.

PD nuk është e qartë më atë që do, nuk është e qartë a ta quajë 30 qershorin fitore apo humbje. Nuk duan të pranojnë që djegia e mandateve ishte një gabim falat që dëmtoi demokratët dh Shqipërinë në tërësi. Sepse kjo ngadalësoi si procesin e integrimit dhe e bëri situatën të vështirë për një marrëveshje tjetër politike", tha Hajdari përballë gazetarit Denis Minga.
Recommended