Operacioni në Elbasan, Artan Hoxha zbulon se është ndaluar edhe një person i përfshirë në krime

  • 5 years ago
Gazetari investigativ Artan Hoxha, i ftuar në "Repolitix", tha se arrestimi i Florenc Çapajt sot në Elbasan, në megaoperacionin e koduar "Krasta", nuk është gjë e vogël, pasi Çapja vihet në pranga në vitin 2019, për një krim të vitit 2006. Një ngjarje e vjetër kriminale e zbardhur nga hetimet dhe përgjimet e kryera ndër vite.

Gazetari Hoxha shprehu habi se si ka mundësi që në një masë kontrollesh kaq masive në banesa dhe biznese të dy fiseve kundërshtare Çapja - Çela, u sekuestruan një numër i vogël armatimesh, ndërkohë që më shumë pati persona të shoqëruar sesa të arrestuar. Megjithatë, për Artan Hoxhën, ky aksion "është një mesazh pozitiv për qytetarët dhe mesazh i fortë kundër krimit".

Në emisionin e moderuar nga gazetari Denis Minga, Hoxha tha se në mesin e të shoqëruarve është edhe Bledar Muça, i cili ka kundërshtuar forcat RENEA.

"Forcat speciale dhe FNSH të dërguara nga Tirana kanë bastisur të gjithë zonën ku operojnë kryesisht klani Çapja, kanë kapur disa persona, kanë shoqëruar shumë më tepër sesa kanë kapur. Bledar Muça është ndaluar për shkak të kundërshtimit që i ka bërë forcave të policisë, e ka shoqëruar RENEA. Të kontrollosh një numër kaq të madh banesash dhe numri i armëve që janë kapur është shumë i vogël. Që do të thotë që diçka ka punuar aty brenda...Kemi të bëjmë me grupe që kanë mbi dy dekada në aktivitet. Janë kontrolluar edhe bizneset e krahut tjetër, sepse ka dalë edhe një episod i vitit 2013 ku është i përfshirë Suel Çela", tha Hoxha.

Bledar Muça dhe Florenc Çapja, janë dy personat qe i shpëtuan atentatit më 3 Shkurt të 2016-ës, masakër ku mbetën të vrarë, Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli. Por Çapja dhe Muça nuk janë bërë vetëm shënjestra atentatesh. Ata kanë qenë të dyshuar edhe për disa ngjarje kriminale të ndodhura në këtë qytet, gjatë viteve të fundit.

Gazetari investigati i Report Tv, solli në vëmendje edhe vrasjen e vitit 2012 të Gentjan Beqirit dhe babait të tij të cilët ishin në arrest shtëpiak në ruajtje nga policia. Edhe kjo ngjarje u zbardh nga hetimet, ndërsa autorët janë shpallur në kërkim. Artan Hoxha tha se Elbasani është qyteti me numrin më të madh të policëve të vrarë. Edhe vetë Florenc Çapja u arrestua për tentativën e vrasjes në 2006-ën të Fadil Memës, ish polic, i cili më tej u ekzekutua në Itali. Çapja u prangos për atentatin e mbetur në tentativë, ndërsa hetimet vijojnë për të parë nëse ka përfshirje të tij edhe në ekzekutimin në Torino të Italisë në 2015-ës.

Recommended