Kërkuan shkarkimin e gjyqtares, grupi i Shullazit ankohet te ONM: Kemi humbur besimin te Dollani
  • 5 years ago
TIRANË-4 anëtarë të grupit Shullazi janë ankuar për të dytën herë brenda një harku kohor të shkurtër, për gjyqtaren Saida Dollani, teksa kërkojnë përjashtimin e saj nga trupa gjykuese.

Bëhet fjalë për Emiljano Shullazin, Blerim Shullazin, Gilmando Danin dhe Endrit Zelën, të paraburgosur në 313. Nëpërmjet një kërkesë zyrtare drejtuar ONM dhe KPK, siguruar nga gazetari Arsen Rusta, ata kanë argumentuar se kanë humbur besimit tek Dollani se mund të tregohet e paanshme. Sipas tyre, Dollani ka shfrytëzuar autoritetin e saj si kryetare e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe jo vetëm ka shkelur ligjet për procedurat e krijimit të trupës gjykuese, por edhe ka ushtruar presion mbi gjyqtarët që shqyrtojnë kërkesat për përjashtimin e saj.

Teksa theksojnë se edhe çështja e tyre s'ka filluar të gjykohet, ndonëse janë zhvilluar 11 seanca, në dokumentin 10 faqesh, grupi Shullazi ka listuar një sërë shkeljesh ligjore, sipas tyre, nga ana e gjyqtares, dhe kërkojnë nga ONM dhe KPK që të nisin hetimet.

Kërkesa e tyre përfundon duke ngritur dyshime mbi motivet që kanë çuar sipas tyre, kryetaren e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, të "insistojë" që të marrë me çdo kusht shqyrtimin e kësaj çështje. Ata theksojnë se një insistim i tillë vjen me qëllim që Dollani të marrë rolin e "heroit", për të "marrë merita shtesë ose për të kompesuar të metat e saj", aq më tepër kur pas pak kohësh pritet që të përfshihet në procedurat e Vettingut.
Recommended