PS jep 70 mln lekë! Kontribuojnë bashkitë socialiste, refuzojnë Prrenjasi e Cërriku të LSI së

  • 5 years ago
Partia Socialiste do të nxjerrë më vete një fond prej 70 milion lekësh që do të shkojnë për banorët e prekur nga tërmeti në qarkun e Korçës. Lajmi është njoftuar nga Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS. Ky fond do të shkojë në ndihmë të banorëve të Floqit, Qafëzezit dhe Vidohovës, të cilëve iu dëmtuan banesat për shkak të tërmeteve që prekën këtë zonë.

"Së pari, ne vendosëm që Partia Socialiste t'i bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milion lekësh. Bashkitë socialiste së bashku me biznesin, të cilit i është thirrje për t?u bashkuar në këtë fushatë solidariteti kanë kontribuar dhe do të ndërtojnë shtëpitë e banorëve të Floqit, të Qafëzezit, Vidohovës apo fshatrave të tjerë. Partia Socialiste ka vendosur t'i bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit" tha Spiropali.

Kujtojmë se një kërkesë për fonde e bëri pak ditë më parë kryeministri Rama në një takim me banorët e Tiranës ku thoshte se duhej të kontribuonin edhe bashkitë socialiste me së paku një shtëpi të ndërtuar për çdo bashki. Ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur kësaj thirrje madje duke thënë se do të kontribuojë në ndërtimin e 4 banesave.

Kësaj kërkese i është përgjigjur edhe Bashkia e Elbasanit, e cila ka kontribuuar me një fond prej 3 milion lekësh. Gjithashtu, edhe Bashkitë e Librazhdit, Gramshit dhe Belshit me një fond prej 2.6 milion lekësh, si dhe Bashkitë e tjera. Ndërkaq, Bashkia e Prrenjasit e drejtuar nga LSI, Miranda Rira nuk i është bashkuar kësaj nisme, duke argumentuar se nuk ka fonde.

Recommended