Qershi, pjeshkë dhe grurë/ Breshëri dëmton prodhimet dhe përmbyt Elbasanin

  • 5 years ago
Reshje të dendura shiu dhe breshëri përfshinë disa fshatra dhe qytetin e Elbasanit sot pasdite. Stuhitë ishin aq të forta sa breshëri zbardhi vendin dhe dëmtoi mjaft të mbjella, vreshta, perime dhe dru frutorë. Sipas raportimeve të ardhura nga fshatrat rezulton se kjo stuhi ka shkaktuar mjaft dëme në bujqësi për shkak se gjithçka tashmë ndodhet në fazën e pjekjes. Dëme të mëdha janë shkaktuar në fshatin Godolesh ku shiu dhe breshëri kanë dëmtuar plantacionet me qershi.

Sipas banorëve të fshatit, dëmi është i pallogaritshëm pasi ky është momenti kur qershitë vilen dhe dalin në treg. Por edhe në fshatra të tjerë raportohet se breshëri ka dëmtuar sera, parcela me të lashta dhe grurë, vreshta, pjeshka dhe drufrutorë. Pritet te ngrihet nga grup pune për llogaritjen e dëmeve. Rrebeshi i pa zakontë i shiut dhe breshrit ka bërë që të përmbytet rruga në Krastë si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Manazeres.

Banorë nga kjo lagje e Elbasanit sjellin pamjet ku tregohet se si përroi i Manazeres nuk e ka përballuar dot me shtratin e tij përcjelljen e ujit për në lumë, por ka dalë prej tij dhe ka përmbytur rrugë dhe tokat përreth. Banorët mendojnë se hedhja e inerteve dhe papastërtive është shkaku kryesor i përmbytjes së rrugës në këtë zonë. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe kandidati për kryetar bashkie i Elbasanit kanë vizituar zonat që janë prekur nga rebeshi dhe përmbytjet.

Recommended