Meta sulmon Euralius-in për drejtësinë: Ja pse s'mund të ul Ramën dhe Bashën
  • 5 years ago
Presidenti i Republikës Ilir Meta në konferencën për sigurinë e Ballkanit që u zhvillua në Tiranë kritikoi ashpër duke sulmuar misionin 'Euralius' në Shqipëri për zbatimin e reformës në drejtësi. Ai tha se pas ngërçit që u krijua me shortin e KED u kërkoi të gjitha institucioneve që të diskutojnë dhe vendosin, por misioni Euralius kishte refuzuar, sipas kreut të shtetit me argumentin se 'ishin mision teknik'. Por kjo për Metën do të thotë se kishin marrë porosi politike. Meta humbi qetësinë duke deklaruar se kjo nuk është drejtësi europiane, dhe nuk do ta luftojë krimin dhe korrupsionin.

Kreu i shteti u shpreh se i kishte kërkuar drejtorit për Zgjerimin në Bruksel në tetor që të sillte një mision me ekspertë për të evidentuar zbatimin e drejtësisë së re. Gjithashtu Presidenti foli edhe për krizën politike, ku kërkoi sërish përgjegjshmëri dhe sqaroi se nuk mund të ulë Ramën dhe Bashën në një tryezë, pasi janë në qëndrime ekstreme. Gjatë fjalës së tij ai kritikoi edhe politikanët që mbështesin idenë e krijimit të Shqipërisë së Madhe duke i cilësuar delirantë që kërkojnë të largojnë vëmendjen nga llogaria që duhet të japin për problemet brenda vendit.
Recommended