Fredi Belerit i refuzohet kandidimi për kryebashkiak në Himarë, Greqia: KQZ vendim pa bazë ligjore
  • 5 years ago
Fredi Belerit (Dhionisios Alfred Petro Beleri), ju refuzua dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidimi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, pasi rezultoi të ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Fredi Beleri, kandidat i pavarur për bashkinë e Himarës, rezulton të jetë i dënuar me burg, por edhe pse dënimi është i hershëm, penalizimi ndaj tij erdhi pasi Beleri nuk ka përfunduar periudhën e ndalimit ose rehabilitimit.

Sot, ministria e Jashtme e Greqisë në një reagim, thotë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka bazë ligjore.

?Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri për të mos lejuar kandidimit e zotit Beleri është tepër shqetësues. Me sa jemi në dijeni deri më tani ky vendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë përfaqësuesit e minoritetit?, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtmë greke.

Fredi Beleri ka qenë dënuar me 3 vite nga gjykata e Vlorës për nxitje të urrejtjes rreth 10 vite më parë dhe e kap ligji i dekriminalizimit. Periudha e rehabilitimit që është 10 vite e përcaktuar, i përfundon një muaj pas zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet janë në qershor dhe Beleri është brenda periudhës së ndalimit, të cilën e përfundon në fund korrikut. Thënë më thjesht, nëse data e zgjedhjeve do të ishte pas muajit korrik, Fredi Beleri do të pranohej si kandidat i rehabiluar nga dënimi i marrë, siç ligji i dekriminalizimit e parashikon.

Alfred (Fredi) Bejleri është një emër i njohur, pasi ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste të masakrës së Peshkëpisë e ndodhur në 10 prill 1994 në Gjirokastër.