Protesta e opozitës dhe kriza politike/ Ambasadori britanik Norman takon Bashën
  • 5 years ago
Një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar, ambasadori britanik, Dunckan Norman ka 'zbarkuar' në zyrën e kryedemokratit, Lulzim Basha, ku zhvilloi një takim 'kokë më kokë' për rreth 40 minuta.

Flitet se në fokus të këtij takimi ishin protestat e opozitës dhe kriza politike, por nuk ka asgjë zyrtare duke qenë se në përfundim të takimi Basha zgjodhi të heshtë para interesimit të gazetarëve. Ndryshe nga herët e tjera, Basha nuk ka qenë i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, por i vetëm. Pas 25 minutash takim 'kokë më kokë', në zyrë shkoi edhe aleati besnik i kryedemokratit, Fatmir Mediu.

Ky takim vjen një ditë pasi ndërkombëtarët, njëzëri kanë dënuar aktet e dhunës në protestën në 11 majit dhe u kanë bërë thirrje të drejtëpërdrejtë Bashës dhe Kryemadhit që të mbajnë përgjegjësi.Në reagimet e tyre, ata kanë bërë thirrje që palët politike të ulen dhe të dialogojnë, për t'i dhënë fund krizës politike në vend, ku sipas tyre protestat po cenojnë rrugën e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. 

Që prej tre muajsh, opozita ka djegur mandatet dhe ka nisur protestat e njëpasnjëshme, ku kërkohet një qeveri transitore, pa Edi Ramën kryeministër, që sipas tyre do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe ndershme. Ato kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, por gjithashtu janë shprehur të bindur se nuk do të lejojnë të zhvillohet procesi i votimit në 30 qershor.
Recommended