Report TV - 'Ligjet për bizneset e tyre'/ Vetëm dy deputetë deklarojnë konfliktin e interesit

  • 5 years ago
Kodi i Sjelljes i Kuvendit, i kufizon deputetët jo vetëm në veshje, fjalor apo sjellje të caktuara, por po ashtu i ndalon që të marrin pjesë në votime apo vendime parlamentare që favorizojnë ata, familjarët apo të njohurit e tyre në angazhimet private.

Neni 13 i Kodit të Sjelljes lë detyrimin që deputeti ta deklarojë konfliktin e interesit.

?3. Kur një deputet, gjatë procesit ligjvënës, është subjekt i një interesi privat dhe mund të ndikohet nga çështja në shqyrtim, bën deklaratë me shkrim dhe e dorëzon pranë shërbimit përgjegjës për deputetët. Deklarata me shkrim e deputetit për konfliktin e interesit, rast pas rasti, publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit në internet.

4. Deputeti nuk ka të drejtë të votojë për një projektligj ose dokument tjetër politik kur ka konflikt interesi dhe as të promovojë projektligje ose interesa për shpërblim/pagesë apo për përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta?.

Por kur kanë kaluar 12 muaj nga miratimi i Kodit të Sjelljes së deputetëve, vetëm dy prej tyre kanë deklaruar të jenë ndeshur me Konflikt Interesi, edhe pse parlamenti është plot me biznesmenë, të cilët janë prekur të paktën nga paketa fiskale.

Fatmir Xhafaj nuk ka marrë pjesë në shqyrtimin e ligjit për përmbarimin gjyqësor privat, me argumentin se të afërm të tij janë të angazhuar në këtë sektor, ndërsa Vasilika Hysi nuk ka marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për një anëtar bordi, me deklarimin se ka njohje të afërta me një prej kandidatëve.

Recommended