Kontrolle në banesën e 'Dajës', dëshmia që zbuloi si u thur plani i grabitjes në Rinas
  • 5 years ago
Këtë të shtunë, policia ka kryer kontrolle në banesën që ka tek Shkëmbi i Kavajës "Daja", kosovari nga Peja i arrestuar një ditë më parë si pjesë e grupit të bashkëpunëtorëve për super-grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit më 9 prill. Ragip Haxhihajdini u arrestua nga Policia në zonën e plazhit në Durrës, pasi aty kishte një banesë të tijën tek "Shkëmbi i Kavajës". 50-vjeçari nga Peja u zbulua falë dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasit, të arrestuar për grabitjen, njëherësh kushëri i Klement Çalës, në kërkim si një nga organizatorët e vjedhjes së miliona eurove në pistën e avionëve në Rinas.

Ishte Alkond Bengasi që përmendi në dëshminë e tij se Admir Murataj, që mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes, takohej me një kosovar tullac nga Kosova.

Ai është përshkruar nga Bengasi si ?Daja? nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.

Arrestimi i Ragip Haxhihajdinit e çoi në gjashtë numrin e personave të vënë para drejtësisë për grabitjen në aeroport, ndërsa Alkond Bengasi është i vetmi që është penduar dhe ka folur. Ai thotë se vetëm ka bërë modifikimin e furgonit me mbishkrimin "Hetimi Tatimor" me të cilën 5 grabitësit u futën në aeroport, por nuk kishte dijeni se ai do të përdorej për vjedhjen e parave të bankës teksa do transportoheshin për në Vjenë.

Ragip Haxhihajdini, i cili njihet edhe me mbiemrin Hajdini, ishte në kërkim edhe nga autoritet në Kosovë, pasi atje është akuzuar për vjedhjen e 25 kg ar në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Pejës 7 vjet më parë, dhe i dyshuar për grabitjen e një banke në Istog ku mbeti i vrarë edhe një efektiv i policisë.

Duke qenë se sipas së dëshmisë së Alkondit, kosovari rrinte shpesh nën shoqërinë e Klement Çalës dhe Admir Muratajt, hetuesit dyshojnë që Hajdini të ketë pasur rol organizatori në ktë grabitje. Plani dyshohet të jetë thurur në një restorant në zonën e Shkëmbit të Kavajës ku jetonte kosovari, por edhe në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku siç tregon Alkond Bengasi, ata takoheshin shpesh me njëri-tjetrin.
Recommended