Vasili: Rama në Elbasan me ushtri policore, KLSH të kontrollojë shpenzimet
  • 5 years ago
Numri numër dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar kryeministrin Edi Rama në Elbasan kishte me vete policinë me armatimë të rëndë luftarak dhe me kallashnikov gjë që sipas tij është e ndaluar. Nga selia e LSI, Vasili tha se po shpenzohen miliona lekë nga taksat e shqiptarëve për karvanin e kryeministrit në takimet e tij në kuadër të "Bashkia që Duam".

"Pasi ndoqët këtë karvan pushtuesish të drejtuar nga ky kryeministër, ja sot Edi Rama në Elbasan, sërish i njëjti karvan, e njëjta ushtri policore, të njëjtat skafandra. Por sot kemi një element tjetër më të dhunshmin nga ana ligjore dhe më të dënueshmin, për të cilin të gjithë duhet të venë para drejtësisë. Sot kemi polici me armatim të rëndë luftarak, me kallashnikov. Pra policia me kallashnikov përballë qytetarëve të thjeshtë, pushtuesi përballë qytetarëve. Jam sot këtu, tju bëj shumë të qartë, prerë dhe pa asnjë lëshim, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Komandantit të Gardës, atyre që drejtojnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt, së fundi, sepse i tillë është, në fund e meriton, Ministrit të Brendshëm, që po monitorojmë çdo sekondë e çdo çast shpërdorimin e qindra milion lekëve që bëhen për të shoqëruar këtë karvan pushtuesish. Qindra milion lekë të qytetarëve paguajnë karvanin që kryeministri i marrë të mund frikërat e tij, që ti jap kurajo vetes së tij për një pushtet që ka marrë fund", tha Vasili.

Në fund, ai ka bërë edhe disa llogari, se kushton një vizitë e Edi Ramës me helikopter, siç ishte rasti i Kukësit.

"Të nderuar qytetarë! Çfarë do të thotë që Edi Rama shkon me helikopter? Shumë thjesht, një vajtje e Edi Ramës me helikopter kushton 1 milion e 500 mijë lekë. Për qytetarin e thjesht, jo për pasanikun pafund, miliarderin Edi Rama po ja përkthej popullit, çfarë janë 1 milionë e 500 mijë lekë? Janë 2500 bukë, me të cilat familje të varfra e me mijëra familje shqiptare sigurojnë mbijetesën e ditës dhe të fëmijëve të tyre. Pra bukën e 2500 familjeje e shpërdoron me një vajte pushtuesi në një nga qytetet e Shqipërisë. Dhe përditë këto shëtitjet politike të trembura të Edi Ramës kushtojnë mijëra bukë nga goja e qytetarëve, që ky të mundë edhe të vërë përfundi frikën e tmerrshme që e ka pushtuar. I bëj thirrje këtu Kontrollit të Lartë të Shtetit të monitorojë dhe kontrollojë batërdinë e financimeve dhe shpenzimeve pa fund, që shoqërojnë karvanët e pushtuesit lart e poshtë nëpër Shqipëri", përfundoi ai.
Recommended