Burg per te arrestuarin e 5-te te grabitjes

  • 5 years ago
Elton Pikli, i arrestuari i pestë për grabitjen e 6.5 milionë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit, është lënë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. 32-vjeçari mbajtur qëndrim mohues para togave të zeza, duke mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria.

I riu nga Kruja ka sqaruar se nuk ka lidhje me grabitjen, por nuk e ka mohuar njohjen me Admir Muratajn, i vrarë në grabitje. Sipas Piklit, ai njihte pak dhe e kishte vite që nuk e kishte takuar. Pavarësisht këtyre pretendimeve, ai është lënë në qeli nga gjykata deri në fund të hetimeve.

Emri i Elton Piklit ka dalë nga dëshmia e të penduarit Alkond Bengasi, si një nga personat që ka pasur dijeni për grabitjen e 9 Prillit në pistën e avionëve.

Ndërsa i arrestuari tjetër për këtë ngjarje, Oltion Veseli, dy ditë pasi u la në burg nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda ka ankimuar vendimin në Apel. 38-vjeçari pretendon se prokuroria nuk ka prova që e implikojnë atë në grabitje dhe kërkon lirimin e menjëhershëm.

Të arrestuar për këtë grabitje janë edhe Renaldo Sula e Saimir Çela. Të gjithë të prangosurit deri tani kanë mohuar akuzat, ndërsa në kërkim janë shpallur dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala.

Personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim deri tani janë identifikuar nga dëshmia e të penduarit Alkond Bengasi, i cili i ka thënë policisë se plani i grabitjes është bërë 6 muaj më parë. Këta persona, sipas tij, janë takuar në një lokal në Kavajë sëbashku me Admir Muratajn dhe dy shtetas nga Kosova.

Tv Klan

Recommended