Report TV -'Bindja Demokratike' zyrtarisht në zgjedhjet e 30 qershorit!

  • 5 years ago
"Bindja Demokratike" tashmë është zyrtarisht partia më e re në Shqipëri, e cila më 30 qershor 2019, do të përballet në kutitë e votimit me kandidatët e saj për kryebashkiakë.

Partia me ish-demokratë, kritikë të fortë të Lulzim Bashës, ka siguruar 4 mijë firma, të mjaftueshme për regjistrimin e saj në Gjykatë. Partia që koordinator të saj ka Astrit Patozin, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, u regjistrua këtë të martë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Në deklaratën e parë publike të kësaj partie që u krijua në një takim në mbrëmje të nsimëtarëve, bëhen të ditur emrat e bordit të përkohshëm. Arbër Skënderi, Valbona Mezini, Fabion Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, janë anëtarët e mandatuar përkohësisht, deri në zgjedhjen e forumeve drejtuese sipas statutit të partisë, që me shumë gjasa kryetar do të zgjedhë Astrit Patozin. Mes tyre është edhe Andi Përmeti, i cili një javë më parë mori mandatin e deputetit nga KQZ, si kandidat në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës në qarkun e Korçës, pasi opozita dogji në bllok mandatet.

Në një analizë të gjatë, ku tregon motivet se u krijua "Bindja Demokratike", Patozi është shprehur se ndryshimi i sistemit dhe çlirimi i zgjedhjeve është kauza e PBD, e ndërsa ka paraqitur tre prioritetet kryesore. "Vendosmëria për t'i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, së dyti zhdukja e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve si dhe një ekonomi e qëndrueshme janë prioritetet tona", shkruan Patozi.

Patozi i njohur për divergjencat e forta me kryetarin aktual të PD-së, pritet që të mbledhë në subjektin e ri 'gardën' e vjetër që u largua nga Lulzim Basha para zgjedhjeve të qershorit të 2017, por edhe të zhgënjyerit nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Bindja Demokratike u regjistrua në KQZ në ditën e fundit të pranimit të partive për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Ndërkohë që sot, PD-LSI dhe 6 aleatët që kanë dalë jashtë Kuvendit, dhanë sinjalin e prerë të bojkotit, duke krijuar një koalicion zgjedhor, që në fakt synon të pengojë zgjedhjet e 30 qershorit, nëse ato do të mbahen me kryeministër Edi Ramën. Nga firmosja e marrëveshjes së koalicionit, Basha tha se me krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira, "do të ketë më zgjedhje false, qeveri false, as opozitë false".

Logoja e Partisë "Bindja Demokratike" është shumë e ngjashme me atë të Partisë Demokratike. Është thuajse i njëjti strukturim, dhe mbetet në qendër të saj bluja dhe e bardha.

Recommended