Grabitja e parave në Rinas, arrestohen 4 persona

  • 5 years ago
13 ditë pas grabitjes së parave në pistën e Rinasit, policia ka arrestuar 4 persona që dyshohet se bashkëpunuan me Admir Muratajn për të realizuar vjedhjen. Në pranga janë vënë Alkond Bengasi, 34 vjeç, Renaldo Sula, 25 vjeç dhe Saimir Çela, 28 vjeç, të tre banues në Elbasan, si dhe 38-vjeçari Oltian Veseli, banues në Krujë.

34-vjeçari Alkond Bengasi, mesditën e së martës do të njihet me masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Policia ka dyshime se këta persona kanë ndihmuar Admir Muratajn që të realizonte grabitjen e parave mesditën e 9 Prillit në pistën e Rinasit.

Dy nga të arrestuarit kishin në pronësi servisin që gjendet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, atje ku dyshohet se u modifikua dhe makina me logon ?Hetimi Tatimor?. Sipas policisë janë gjetur dhe sekuestruar prova të mjaftueshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Ndërkohë, mbi të ndaluarit rëndojnë një sërë akuzash, si vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, vrasje e punonjësve të policisë, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Nga ana tjetër për këtë ngjarje në kërkim është shpallur Klement Çala, vëllai i tij Eldi Çala, Fatjon Beqiraj,si dhe një femër. Hetuesit kanë dyshime se këta persona kanë luajtur rol aktiv në grabitjen e armatosur, ndërsa një prej grabitësve, Admir Murataj mbeti i vrarë pasi shkëmbeu zjarr me policinë.

Tv Klan

Recommended