Vritet në Shkodër Nardi i bujtinës Polia në Theth

  • 5 years ago
Vritet në fshatin Grudë të njësië administrative Gruemirë, biznesmeni Ferdinand Polia, i cili kishte në pronësi bujtinën Polia në zonën turistike të Thethit. I njohur për të gjithë si Nardi i bujtinave, 35-vjeçari u qëllua me armë zjarri, ndërkohë që ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip fuoristradë.

Polia është dërguar në spital ku dhe ka ndërruar jetë pasi nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve të marra.

Në momentin e ngjarjes viktima ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, Xhovan Mirashi i cili ishte në automjet me të e që mendohet te jete punëtor i servisit te makinave ku kishte çuar automjetin e tij për riparim.Pasi është larguar nga servisi, Polia është qëlluar me breshëri plumbash nga një person i cili është larguar me motor. Policia ka gjetur 20 gëzhoja plumbash në vendngajrje dhe një motor të djegur tek Ura e Mesit në Shkodër, i cili dyshohet se është përdorur nga autori që ka kryer vrasjen.

Ferdinand Polia kishte jetuar për shumë vite si emigrant në Itali dhe ishte kthyer në vend vetëm për të hapur bujtinën e tij

Jo pak herë, ai ka paraqitur shqetësimin lidhur me infrastrukturën në zonën e Thethit, ku kishte dhe bujtinën e tij të njohur me emrin Polia.

Në një lidhje telefonike për Report Tv në Janar të këtij viti Polia kërkonte ndërhyrje nga bashkia për rregullimin e infrastrukturës, pasi kishte patur kërkesa për të vizituar Thethin nga turistët edhe në dimër.

Në profilin në booking.com bujtina e tij paraqitet si mjaft e preferuar nga turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë lënë komente pozitive mbi të. Ferdinand Polia ka qenë punonjës i administratës së Zonave të Mbrojtura në parkun kombëtar të Thethit.