Proteste dhe seance, policia rrethon Parlamentin
  • 5 years ago
Opozita e bashkuar proteston sot përpara Parlamentit në të njëjtën kohë që zhvillohet seanca plenare. Në pedonalen para godinës së sallës plenare dhe në rrugët lidhëse janë vendosur forca të shumta policore. Pedonalja është e mbyllur dhe nuk lejohet kalimi i personave të tjerë. Një kordon policor ka bllokuar kalimin në këtë rrugicë që lidhet me Parlamentin.

Protesta e opozitës pritet të nisë në orën 10:00, në të njëjtën kohë kur është paralajmëruar edhe nisja e seancës plenare. Efektivë të shumtë kanë marrë masa për të mos lejuar protestuesit që të afrohen në sheshin përpar Parlamentit. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS, Ministrisë së Brendshme iu kërkua që të garantohej siguria fizike e deputetëve për të shmangur incidentet që ndodhën në protestën e kaluar, kur disa deputetë e ministra nuk u lejuan nga protestuesit që të kalonin.

Dy ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi se nuk i ka dhënë leje opozitës për të protestuar përpara Parlamentit, megjithatë autoritetet kanë marrë masa shtesë. Të hënën, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin se masat e marra para Parlamentit janë si regjim ushtarak.
Recommended