Report Tv - Bujar Spahiu fiton zgjedhjet, Ylli Gurra: KMSH u kap nga Gylenistët

  • 5 years ago
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa procesi është shoqëruar me akuza të forta. Kryetari i ri është Bujar Spahiu, që deri tani ka mbajtur postin e nënkryetarit, ndërsa tashmë do të drejtojë KMSH-në në një mandat 5-vjeçar. Bujar Spahiu arriti që të siguronte fitoren që në raundin e parë, pasi mori 59 vota, ndërsa myftiu i Tiranës Ylli Gurra mori 26 vota dhe kandidati i tretë Gramoz Blliku, vetëm 2 vota.

Pas zgjedhjes në detyrën e re, Spahiu tha se puna parësore do të jetë ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri, ndërsa shtoi se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi. Bujar Spahiu është drejtuesi i 10-të i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa ka studiuar teologji në Egjipt.

Ndërsa myftiu i Tiranës Ylli Gurra, që ishte njëri nga tre garuesit, por nuk arriti që të fitonte, akuzoi se zgjedhjet u morën peng nga Gylenistët dhe në krye të institucionit u vendos njeriu i tyre. Ai tha se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë rrodhën me disa të papritura, pasi dje Skënder Bruçaj u tërhoq duke mos pranuar që të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa Gëzim Abdishaku dhe Islam Hoxha u skualifikuan. Të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin e ri e kishin 91 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm.

Në garë ishin tre kandidatë:
Bujar Spahiu-nënkryetar i KMSH-59 vota
Ylli Gurra -myftiu i Tiranës-26 vota
Gramoz Blliku-myftiu i Lushnjës-2 vota

Recommended