Vrau gjyshin me pistolete, arrestohet adoleshenti

  • 5 years ago
"Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës. Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen "Rilindja". Fillimisht është raportuar për një grabitje, ndërsa më pas policia ka dhënë versionet e ndryshme të saj, teksa tashmë 69-vjeçari Vangjel Kapllani ka ndërruar jetë, pasi ka marrë një plumb në kokë, por edhe ishte goditur me sende të forta".

Për ngjarjen e rëndë në pranga ka përfunduar 17-vjeçari Vangjel Kapllani, nipi i viktimës. Policia ka arrestuar edhe tre persona të tjerë që dyshohet se i kanë shitur pistoletën adoleshentit me të cilën kreu krimin. Vrasja ndodhi rreth orës 20:40 minuta të së mërkurës.

Ishte vetë nipi i cili njoftoi ambulancën dhe policinë. Ai fillimisht tregoi në polici se e gjeti derën e shtëpisë të hapur dhe gjyshin të plagosur, ndërsa mungonte edhe shuma prej 1 milionë lekësh. Por skenari i tij për të humbur gjurmët zgjati vetëm pak orë. Mëngjesin e së enjtes ai u arrestua si autori i këtij krimi.

Ndërkohë fqinjët shprehen të shokuar për ngjarjen, teksa tregojnë se 17-vjeçari kishte marrëdhënie të mirë më gjyshin e tij.

Vangjel Kapllani ka dhënë disa versione në polici për ngjarjen. Ai mësohet se e ka pranuar vrasjen duke treguar se ku e kishte fshehur armën e krimit. Para hetuesve, 17-vjeçari mësohet të jetë shprehur se e vrau gjyshin se ai e mërziste shpesh.

Por më vonë ai ka ndryshuar dëshmi, duke akuzuar hallën e tij dhe kushërirën për vrasjen. Ndërkohë hetuesit kanë dyshime se vrasja është kryer për grabitjen e lekëve, pasi dy vjet më parë, ky fëmijë ishte denoncuar nga gjyshi për vjedhjen e disa mijë eurove. Nipi jetonte në një shtëpi me viktimën, pasi prindërit i kishin humbur jetën në një aksident.

Tv Klan

Recommended