Rama: Nuk do te kete qeveri tranzitore, zgjedhjet ne 2021

  • 5 years ago
"Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s'ka dyshim".

Kështu Kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e opozitës për të dorëzuar në bllok mandatet e deputetëve, por kreu i qeverisë e thotë prerë se nuk do të pranojë kërkesën për të ndërprerë mandatin e tij për të krijuar një qeveri tranzitore.

"Një, ndër shumëçka-të që mund të diskutohen e që mund t?i shërbejnë realisht forcimit të demokracisë nuk është as retorika e dhunshme, as dhuna mbi institucionet, as imponimi me dhunë i ndryshimit të raporteve politike të vendosura nga populli me votë dhe padyshim as ndërprerja e një mandati legjitim qeverisës përmes një kamikazërie politike mbi mexhlisin e jetës parlamentare. Zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre, për të folur me votë, qoftë në qershor të këtij viti, qoftë në qershor të viti 2021".

Megjithatë kreu i maxhorancës shprehet i hapur për të dialoguar me pakicën, duke shtrirë dorën e bashkëpunimit.

"A mund të kishim bërë më shumë për ta ndihmuar procesin e ndërveprimit qeveri-opozitës? Nuk e di, mbase dhe mund të kishim bërë më shumë, por kemi qenë, jemi e do të jemi gati të ulemi e të dialogojmë për gjithçka që i shërben forcimit të demokracisë në vend dhe të institucioneve. Dora e bashkëpunimit dhe e dialogut me opozitën, pavarësisht vetëpërjashtimit të saj ekstrem nga jeta parlamentare është e shtrirë dhe do të mbetet e shtrirë".

Sipas Ramës, akti i opozitës shqiptare ka shqetësuar seriozisht edhe ndërkombëtarët.

"S'jam megjithatë këtu, sot, për të fajësuar opozitën që fajësinë e saj e ka bërë vetë botërisht publike. S'jam po ashtu aspak i qetë që opozita jonë sot është kthyer në shqetësim real, serioz për partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian". 

Për kreun e qeverisë, vendimi i opozitës mund të ketë pasoja për integrimin e vendin.

"Është e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës tonë politike, kjo zgjedhje destruktive e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e popullit. Kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit. Ashtu sikundër pamjet e turpshme të së shtunës, të cilat bënë xhiron e botës, mund të kenë pasoja jo të vogla mbi sezonin e ardhshëm turistik; pra, mbi ekonominë e punësimin e shqiptarëve dhe investimet e reja në turizëm e jo vetëm".

Rama përsëriti se akti i opozitës lidhet me frikën nga Reforma në Drejtësi, që sipas tij, do të vazhdojë.

"Nëse futet rregulli i ri i padëgjuar askund në botë, i palexuar kurrë në libra, se kur një opozitë arratiset nga parlamenti, shumica duhet të ndërpresë mandatin e saj e të shkojë në zgjedhje me qeverinë që i pëlqen opozitës. Kjo është logjikë humbësish që, jo vetëm e dinë që nuk fitojnë dot, por kanë humbur dhe arsyen nga dëshpërimi dhe dëshpërimi, lejomëni t?jua them deri në fund, lidhet jo vetëm me pushtetin që iku e nuk duket në horizont, por dhe me drejtësinë e re që po vjen dhe nuk ndalet dot me asnjë shpikje".

Rama e mby...

Recommended