SHBA: Kërcënimet nga opozita për të braktisur mandatet minojnë demokracinë

  • 5 years ago
Ndërkombëtarët reagojne ashper dhe i kërkojnë opozitës shqiptare që të heqë dorë nga vendimi për bojkotin e Kuvendit dhe djegia e mandateve të deputetëve pas protestës së dhunshme ditën e shtunë. Pas Brukselit, që foli dje përmes zëdhënëses së KE-së (lexo këtu) dhe ambasadorit Luigi Soreca (lexo këtu), pasditen e sotme ka qenë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka dënuar fort vendimin e opozitës.

Përmes një deklarate, ambasada amerikane shprehet se djegia e mandateve nga PD dhe LSI-ja minon demokracinë dhe saboton integrimin e Shqipërisë. SHBA u bën thirrje deputetëve të opozitës që të ngrihen mbi sherret politike dhe të refuzojnë vendimin e grupeve parlamentare të PD dhe LSI-së për të djegur mandatet. I vetmi deputet që ka dalë kundër vendimit të grupit deri tani është Lefter Koka i LSI-së (lexo këtu).

"Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme.

Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni" thuhet ne deklaratën e SHBA-së.

Ndërkohë që pasditen e sotme kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim në selinë blu me ambasadorin britanik Duncan Norman. Takimi ka zgjatur më shumë se një orë, ndërsa në qendër të bisedës ka qenë djegia e mandateve nga opozita.

Recommended