Report Tv-Rama: Nuk besoj se do gjejnë konsensus mes tyre për djegien e mandateve

  • 5 years ago
Atë se çfarë po ndodh brenda opozitës, kryeministri Edi Rama e sheh veçse si një mundësi që mazhoranca të përmirësojë edhe më tej veten. Një shumicë e zgjedhur nga vullneti i popullit që sipas tij duhet të vijojë rrugën para në besimin që i është ridhënë në 25 qershor të 2017-ës për të qeverisur.

Para deputetëve të Partisë Socialiste që ai drejton, në mbledhjen e grupit mbajtur me dyer të mbyllura në selinë rozë, kryesocialisti Edi Rama tha se përpjekjet për zgjedhjet lokale duhet të vijojnë pavarësisht se çfarë bën opozita.

"Ne do të ecim drejt, duke dëgjuar njerëzit, duke e përmirësuar çdo ditë qeverisjen, duke u organizuar më mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, (që unë them që do hyjnë pasi të bëjnë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit), ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, po zemrat e besimin e edhe më shumë qytetarëve se sa herën e shkuar", u shpreh Rama referuar vendimit të papritur që lideri demokrat Lulzim Basha shpalli dje, një ditë pas protestës, për t'i propozuar grupit parlamentar të PD-së, djegien e mandanteve. Megjithatë, vetë kryeministri nuk beson se ky vendim do të gjejë mbështetje as vetë brenda PD-së.

"Nuk besoj se do gjejnë konsensus për djegien e mandateve. Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne", mësohet të jetë shprehur Rama para deputetëve të tij.

Recommended