Report TV - Pedagogë të PD dhe LSI në grevë: Solidarizohemi me studentët

  • 5 years ago
Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, disa pedagogë të Fakultetit Histori Filologji të Universitetit të Tiranës kanë nisur sot grevën si mbështetje ndaj protestës së studentëve. Pedagogët e FHH shprehen se kanë vendosur të solidarizohen me studentët për realizimin e tetë kërkesave të tyre. Mes pedagogëve bien në sy Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët njëkohësisht njihen për afrimitetin e tyre me të djathtën dhe vecanërisht PD-në. Mark Marku ka qenë edhe deputet i PD, ndërsa Gjekmarkaj është aktivist i të djathtës. Edhe Romeo Hanxhari, pedagog i Gjeografisë te Filologjiku është gjithashtu një emër i njohur pranë opozitës si përfaqësues i disa kauzave të saj. Një tjetër emër i njohur i Filologjikut si pjesë e strukturave partiake është edhe Zylyftar Bregu, pedagog i gazetarisë, pjesë e LSI-së. Jonila Godole, gjithashtu pedagoge e gazetarisë, kohët e fundit është angazhuar pranë shoqatave të të përndjekurve politikë.

Në prononcimet për mediat, pedagogët janë shprehur se kërkesat e studentëve janë të drejta. Sipas tyre, "Pakti për Universitetin" i ofruar nga qeveria nuk është zgjidhja, ndërsa shtojnë se ata nuk janë pyetur për draftin e miratuar nga Këshilli i Ministrave me 12 pika ku i jepet zgjidhje pjesës më të madhe të tetë kërkesave të studentëve. Pas studentëve, edhe pedagogët kërkojnë shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Nga ana tjetër, grupe të caktuara studentësh vijojnë bojkotin e mësimit te Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe te Arkitektura. Të ndarë në grupe të vogla, studentë e disa fakulteteve kanë tentuar të pengojnë mësimi, por në fakt sic duket edhe në këtë video, mësimi është zhvilluar normalisht në 80% të auditoreve dhe studentët janë paraqitur në sallat e leksioneve dhe seminareve

Recommended