119 vite burg per 8 grabitesit e Rinasit

  • 5 years ago
119 vite burg ka kërkuar prokuroria për 8 persona, të cilët në 3 grabitje bankash, arritën të marrin rreth 8 milionë Euro. Prokuroria i akuzon se kishin ngritur një grup të strukturuar kriminal, për vjedhje bankash dhe armëmbajtje pa leje.

20 vite burg u kërkuan për ish-komandon Neim Avdulajn dhe Dash Kupën, ndërsa për vëllain e tij Ernestin, u kërkuan 19 vite e 8 muaj heqje lirie.

Nga 16 vite heqje lirie u kërkua për Fatjon Xhyliun, Dritan Sinanin dhe Aleksandër Murataj. Dënimi me nga 5 vite e 8 muaj burg u kërkua për ish-komandon tjetër, Ditjon Memlikën dhe Admir Çerpjen, pasi këta dy persona mbajnë dhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Për personin, i cili krijoi grupin kriminal dhe ideoi 3 grabitje, Admir Muratajn, gjykimi është pezulluar pasi ai nuk është mundur të arrestohet. Ky grup, sipas prokurorisë është përgjegjës për të paktën 3 grabitje.

Në 13 Shkurt 2015, ata grabitën me armë armë një bankë të nivelit të dytë, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Nën kërcënimin e armëve morën rreth 2 milionë euro, gjatë kohës që policia private po i nxirrte nga banka.

Në 3 Dhjetor 2015, ky grup grabiti blindin me para të një banke të nivelit të dytë, në rrugën e Rinasit, ku u morën rreth 3 milionë Euro.

Në 9 Shkurt 2017, i njëjti grup akuzohet se po në rrugën e Rinasit përdorën të njëjtën skemë. I dolën para një blindi me para, duke grabitur rreth 3 milionë Euro. Kjo do të ishte grabitja e fundit e grupit, pasi në 14 Shkurt policia arriti të arrestojë dy nga grabitësit dhe më pas u ndaluan edhe 6 persona të tjerë.

Zbulimi i pjesëtarëve të grupit u bë kryesisht nga dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Ditjon Memlikës dhe Admir Çerpjes.

Recommended