Unaza e Madhe, PD: Rama paracaktoi fituesin e tenderit

  • 5 years ago
Demokratët kanë vijuar akuzat në adresë të Kryeministrit Edi Rama lidhur me ritenderimin e projektit të Unazës së Madhe, që sipas tyre është një megaaferë e qeverisë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sipas selisë blu, kompania fituese është paracaktuar nga kreu i ekzekutivit, duke e cilësuar fasadë hapjen nga ana e Autoritetit Rrugor të ofertave për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe.

"Kompania ?Gjoka Konstruksion? është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit. Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra".

Autoriteti Rrugor u detyrua të hapë edhe një herë garën pas mashtrimit me dokumente që Kompania ?DH Albania? e përfaqësuar nga 26-vjeçari Avdjol Dobi bëri për lotin e parë të segmentit të Unazës së Madhe.

Kjo firmë dorëzoi në Shqipëri bilance të falsifikuara për tre vitet e fundit, kur në fakt ishte krijuar më 25 Qershor të 2018-s, si dhe një dokument të Sekretarit të Shtetit të Delaware në SHBA, se nuk kishte detyrime.

14 Janari ishte përcaktuar nga ARRSH-ja edhe si dita e hapjes së ofertave për rehabilitimin e segmentit rrugor, mbikalimi i Pallati me Shigjetta- Rrethrrotullimi Shqiponja, punimet për të cilën pritet të përfundojnë pas dy vjetësh.

Por ndryshe nga sa thotë Partia demokratike, ARRSH-ja përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat shprehet se për lotin e parë kanë marrë pjesë në garë 6 operatorë, ose bashkime operatorësh ekonomik.

ARRSH-ja u kërkon partive politike të lejojnë respektimin e procedurave ligjore, të mos dëmtojnë procesin e garës dhe të mos intimidojnë Komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Ligji për Prokurimin Publik dhe gara e hapur përmes platformës së Prokurimit Publik, thuhet në njoftimin e ARRSH-së, krijon të gjitha mundësitë për transparencë të plotë në këtë proces.

Tv Klan

Recommended