Debora izolon zonat e thella, mbyllen shkollat

  • 5 years ago
50 centimetra ka arritur trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella tashmë ka kaluar një metër, duke izoluar kështu thuajse të gjithë fshatrat.

Për hapjen e rrugëve rurale, pritet ndërpreja e reshjeve. Kjo situatë ka bërë që qarku i Dibrës të ngrejë Shtabin e Emergjencave, për të monitoruar situatën.

Puna për mbajtjen hapur të akseve rrugore nuk është ndërprerë edhe gjatë natës, ku në pikën e njohur si Qafa e Buallit në aksin Tiranë-Peshkopi ka qenë edhe prefekti i Dibrës. Kalimi në aksin kombëtar Peshkopi-Tiranë, herë pas here është bllokuar, ndërsa nuk kanë munguar as aksidentet.

Reshjet e dëborës që kanë vijuar edhe gjatë natës, kanë shkaktuar probleme edhe në qarkun e Kukësit. Rruga e Kombit ka qenë e hapur, por mjetet e rënda nuk janë lejuar të levizin si pasojë reshjeve të dendura të dëborës.

Ndërsa në Shkodër trashësia e dëborës ka arritur në 50 centimetra dhe në të gjitha akset kalohet vetëm me zinxhir.

Në jug situata më problematike paraqitet në qarkun e Gjirokastrës, ku si pasojë e reshjeve, është kërkuar shpallja e gjendjes së emergjencës.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në Korçë si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, qarkullimi në rrugët e Dardhës, Voskopojës bëhet me zinxhirë.

Situata e motit ka krijuar veshtirësi edhe në zhvillimin normal të procesit mësimor. Për pasojë, në 16 Drejtori dhe Zyra Arsimore, mësimi është pezulluar totalisht, në 6 drejtori vetëm disa shkolla janë mbyllur, ndërsa mësimi po zhvillohet me orë të shkurtuar në të gjithë vendin.

Tv Klan

Recommended