Report TV - Një grup studentësh shkaktojnë kaos brenda fakulteteve, nuk lejojnë zhvillimin e mësimit
  • 5 years ago
Studentët duket se kanë hequr dorë nga protestat në sheshe. Kur pritej që ata t'i riktheheshin mësimit, pasi një gjë të tillë e njoftuan edhe universitetet, të ndarë në grupe të vegjël, mëngjesin e sotëm studentët janë mbledhur brenda fakulteteve ku kanë nxjerrë karriget dhe tavolinat në korridore, duke shkaktuar kaos, pavarësisht nga paralajmërimi i policisë një ditë më parë se do mbanin përgjegjësi ligjore (Lexo këtu).

Gjithashtu ata u kanë bllokuar derën studentëve të tjerë që kishin mbërritur me synimin për t'iu drejtuar autidoreve për mësim. Protagonistët e protestës shprehen jashtë kamerave se do tentojnë të qëndrojnë sa më gjatë brenda fakulteteve, për të pamundësuar në çdo moment zhvillimin normal të procesit mësimor. Kjo është situata te Fakulteti Ekonomik, i Drejtësisë, Filologjik, te Universiteti Politeknik dhe ai i Mjekësisë. Ndërkohë që pranë fakulteteve bien në sy edhe forcat e policisë. Një grup studentësh, kryesisht përfaqësues të forumeve partiake, vijojnë të protestojnë, ndonëse qeveria ka miratuar 12 vendime si pjesë të Paketës për Universitetin që i jep përgjigje dhe zgjidhje pjesës më të madhe të tetë kërkesave të tyre.

Reagimi i studentëve për të protestuar brenda fakulteteve vjen një ditë pas njoftimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës se duke e nisur nga kjo e shtunë dhe e diel e për pesë fundjava rresht, do të zhvillohet mësim për zëvendësimin e orëve të humbura në muajin dhjetor kur studentët protestuan për 17 ditë me radhë
Recommended