Meta dekreton 4 ministra te rinj

  • 5 years ago
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka hedhur firmën për 4 ministra të rinj të propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Kreu i shtetit shpalli dekretet për emërimin e Anila Denajt në vend të Arben Ahmetajt, si Ministre e Financave dhe e Ekonomisë, Besa Shahinit si Ministre e Arsimit në vend të Lindita Nikollës. Belinda Balluku dekretohet si Ministre Infrastrukture në vend të Damian Gjiknurit dhe Elva Margariti, Ministre e Kulturës në vend të Mirela Kumbaros.

Por në listën e dekreteve mungon vetëm firma për shkarkimin e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe zëvendësimin e tij me Gent Cakajn. Burime zyrtare në Presidencë thanë se Meta do të presë deri të premten kur skadon afati kushtetues 7 ditor për përgjigjet që u ka kërkuar institucioneve për verifikimin e integritetit të figurës, për propozimin në fjalë. Por i pyetur më herët gjatë ditës, kreu i shtetit tha se do të respektojë afatet në varësi të përgjigjeve që do të marrë.

?Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale.?

Mosdekretimi i Ministrit të ri të Jashtëm nga ana e Presidentit pritet të shkaktojë edhe ngërçin e parë në diplomacinë shqiptare. Kjo pasi në 10 Janar, në axhendën e përfaqësueses së lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini është parashikuar një takim me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili nuk do të jetë i pranishëm, ndonëse qëndron ende në detyrë, pas refuzimit për shkarkim nga ana e Presidentit Meta. Të shtunën Meta dekretoi fillimisht vetëm 4 nga 9 emrat e propozuar, të cilët janë aktualisht deputetë.

Tv Klan

Recommended