Report Tv-Dëbora zbardh rrethet,pamjet

  • 5 years ago
Reshjet e dëborës kanë prekur edhe kryeqytetin, ndonëse me intensitet të dobët. Flokët e parë të dëborës në Tiranë kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë. Bora është shkrirë pa zbardhur dita por gjithsesi 'gjurmët' e saj ishin prezente në disa zona të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, reshje bore ka pasur edhe në Elbasan, Librazhd e Gramsh.

Për herë të parë këtë vit, ky mëngjes ka gjetur të zbardhur edhe Shkodrën. Gjatë natës ka pasur reshje bore në qytet ku trashësia ka arritur në 4 cm dhe për pastrimin e rrugëve është dashur ndërhyrja e fadromave. Si rrallë herë, edhe Gjirokastra është mbuluar nga bora. Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se trashësia e borës në qytet arrin në mbi 10 cm, ndërsa në zonat rurale 30-40 cm. Problematike situata paraqitet në Dibër. Gjysma e fshatrave të këtij qarku janë të bllokuar. Reshjet kanë sjellë edhe pezullimin e mësimit në Gjirokastër, Pukë, Mirditë, Fushë Arrëz, si dhe në disa fshatra të Korçës. Ndërsa në zonat e tjera të prekura nga moti i keq, orët mësimore po zhvillohen të reduktuara dhe 280 shkolla kanë ndërprerë mësimin.

Sa i takon akseve nacionale, qarkullimi në Rrugën e Kombit kryhet normalisht, ndërsa 13 borëpastruese po punojnë për mbajtjen e rrugës hapur. Vështirësi në qarkullim janë raportuar në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë. Përdorimi i zinxhirëve këshillohet në akset Korçës si në Dardhë, Voskopojë, Korçë - Qafë Qarri - Ersekë, Liqenas - Dogana Goricë, qarkullohen me zinxhirë. Akset rrugore të Kukësit dhe Dibrës përveç zonave rurale, janë të kalueshme pa zinxhirë

Recommended