Report Tv-Dita e 7-të e protestave të studentëve

  • 5 years ago
TIRANE - Pas më shumë se 7 orësh përballë Ministrisë së Arsimit, në ditën e shtatë të protestës, studentët u shpërndanë, duke paralajëmruar, se nesër do të jenë sërish aty, madje duke e përshkallëzuar protestën e tyre ndaj qeverisë. Ata njoftuan se nesër do t'u bashkohen edhe studentët e universiiteve të rretheve.

Në ditën e shtatë të protestave të studentëve dhe pas refuzimit të vazhdueshëm për t'u ulur në tryezë e përbashkët, kryeministri Edi Rama ka tentuar sot të hapë një kanal komunikimi me protestuesit nëpërmjet "Facebook".

Në një dialog virtual, që ka vazhduar për dy orë dhe që ka mbledhur 7.000 komente, Rama ka bërë disa propozime konkrete, duke tejkaluar në disa raste edhe vetë kërkesat e studentëve. Ai u tregua i gatshëm për të financuar me buxhetin e shtetit jo vetëm uljen me 50% të tarifave, por edhe arsimin falas për studentë ekselentë dhe të varfër; ofroi 1000 vende pune në administrata për studentët më të mirë; u tregua i gatshëm për të boshatisur bordet e universiteteve nga anëtarët e qeverisë dhe për të shtuar investimet në konvikte.

Por si kusht të vetëm, kryeministri kërkoi që gjithë këto lehtësira që plotësojnë pjesën më të madhe të 8 kërkesave të paraqitura gjatë protestës, të diskutohen në një tryezë bashkë me studentët. Rama akuzoi opozitën se duke bllokuar dialogun e drejtpërdrejtë midis tij dhe studentëve, po përpiqet të përfitojë politikisht nga protesta. Më tej, Rama tha se priste që studentët protestues të dënonin sjelljen fyerëse ndaj Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Sot, grumbullimi i studentëve të Tiranës nisi si herët e kaluara, në orën 08:30 nga sheshi "Nënë Tereza". Më pas ata vazhduan marshimin drejt Ministrisë së Arsimit duke ndjekur rrugën e zonës së ish-Bllokut dhe duke shmangur Bulevardin qendror të kryeqytetit. Protestës i janë bashkuar edhe studentë nga universitetet e rretheve. "Studentë, ata duan të hiqni dorë - bashkohuni nesër më të fortë se kurrë", thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

Recommended