Degradon protesta e banorëve të Unazës së Re, 13 policë të plagosur, 11 protestues në arrest

  • 5 years ago
Protesta e banorëve të "Unazës së Re" përpara Parlamentit, ka degjeneruar në dhunë. Zv/ drejtori i Rendit, Dhimitraq Ziu, 12 efektivë policie dhe 3 qytetarë janë plagosur, për pasojë të përplasjeve të vazhdueshme të banorëve të 'Unazës së Re' me efektivët e Policisë. Në protestë, e cila zgjati mbi dy orë, morën pjesë rreth 300 persona, midis të cilëve ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike e ish-trupoja e ish kryeministrit Sali Berisha, Sali Lushaj. Për pjesëmarrje dhe nxitje të protestës së agravuar përpara Kuvendit, janë arrestuar 11 protestues.

Ndonëse qeveria njoftoi se banesat do të prishen vetëm pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, banorët e ?Unazës së Re? janë shfaqur ende të revoltuar. Sipas gazetarit të Report TV, banorët kanë hedhur shashka e kapsolla, si dhe janë dëgjuar përgjatë gjithë kohës duke thërritur: "Duam shtëpitë tona", ndërkohë që, përkrah tyre shihet edhe prania e fëmijëve. Ata janë dëgjuar gjithashtu të shprehen: "Do i mbrojme shtepitë me gjak', 'Erion hajde këtu', 'Edvin hajde këtu". "Pas 'Unazës së Re' e ka radhën Shkoza e Paskuqani. Jemi një, nuk tërhiqemi. Duam shtëpitë tona", ka thënë njëri prej tyre. Ndonëse Policia vendosi si masë sigurie kordone, këto të fundit u shkatërruan nga përplasjet e vazhdueshme.

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama theksoi se do të dëmshpërblehen vetëm banesat me leje, por banorët kundërshtojnë duke deklaruar se janë në proces legalizimi. Kjo nuk është hera e parë që banorët e 'Unazës së Re' protestojnë përpara një organi të lartë. Më 15 nëntor, ata protestuan edhe para Bashkisë së Tiranës. Duke hedhur tymuese dhe bomba molotov, ata u përplasën edhe me policinë bashkiake, nga ku mbetën të lënduar 7 efektivë. Sot është dita e 18 e protestës së tyre kundër projektit të ?Unazës së Re?, që parashikon prishjen e banesave të tyre.

Recommended