Report TV - Avari me pompën, mbytet peshkarexha në Vlorë, 4 anëtarët shpëtohen nga trageti italian
  • 5 years ago
VLORË- Një peshkarexhë është mbytur në Vlorë në orët e para të mëngjesit të sotëm pak milje larg ishullit të Sazanit. Sipas burimeve për Report Tv, peshkatarët kishin dalë prej tre ditësh për peshkim me mjetin e tyre, i cili kishte pësuar avari me pompën e ujit dhe ishte mbytur në orët e para të mëngjesit. "Vasili LN" ishte mjeti me të cilin po lundronin peshkatarët.

Në momentet e fundit, katër peshkatarët e identifikuar si: Mihal Naçi, 54 vjeç; Kristo Kosta,65 vjeç; Mateo Jakupi, 19 vjeç; dhe Emiljano Nebiu, 20 vjeç, çuan sinjalin SOS tek autoritetet detare për rrezikun që iu kanosjes.

Menjëherë pas sinjalit, Rojes Bregdetare dhe Delta Force dolën në det ku edhe kërkuan për të humburit por pasi nuk i gjetën pas kontrolleve, autoritetet detare u kthyen në bazë pa anëtarët e ekuipazhit.

Katër anëtarët e ekuipazhit, u shpëtuan nga një traget i linjës Brindisi-Vlorë pasi i pikasi në det, ku kishin mbi katër orë që qëndronin në kamerdare, trageti ndaloi dhe i mori në bordin e tij.

"Dëgjuam të bërtitura dhe ndaluam."-thanë dëshmitarët që ndodheshin në bordin e tragetit. Ndërsa në Polici, "të mbijetuarit" janë shprehur se i kishin humbur të gjitha shpresat gjatë gjashtë orëve të tmerrit që kaluan në det.

Siç shihet edhe në fotot dhe videon e shpëtimit të siguruar nga Report TV dhe Shqiptarja.com, peshkatarët shpëtohen nga katër persona që i afrohen me një varkë të vogël dhe i ngjisin një nga një në të.
Recommended