Report TV - ‘Faturimi i bizneseve’, Tabaku: Baxhanaku i Ramës, pjesë e skemës mafioze
  • 5 years ago
TIRANË- Partia Demokratike vazhdon me akuzat drejtuar qeverisë Rama për tenderin e faturimit të bizneseve, ose sistemin e ri të monitorimit online të bizneseve. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, pasi akuzoi ditën e djeshme se ky tender ishte manipulativ dhe i korruptuar, ditën e sotme, ka dalë sërish në një konferencë për mediat, ku akuzon baxhanakun e kryeministrit Edi Rama, Armando Frangun të përfshirë në këtë skemë, që PD e cilëson mafioze.

Tabaku ka publikuar ekstraktin e QKR, të kompanisë së Armando Frangut, si edhe njoftimin e AKSHI-t ku thuhet se kompania  e Frangut, B360 është pjesëmarrëse në këtë tender.

Deklarata e Jorida Tabakut:

Tenderi që i jep një kompanie kroate monopolin e kontrollit online të faturës tatimore për çdo shitje nga biznesi është një nga tenderat haptazi korruptiv të qeverisë Rama.  Partia Demokratike denoncoi 5 javë më parë se kriteret e vendosura ishin përcaktuar për të nxjerrë fituese kompaninë kroate. 

Por nuk janë vetëm kriteret e paracaktuara të tenderit që e bëjnë atë korruptiv pasi faktet provojnë manipulimin e kësaj gare.  Dokumentat e bërë publik që unë po prezantoj sot këtu tregojnë se në tenderin  fasadë prej 15 milionë euro kanë marrë pjesë 3 garues. Dy prej tyre kanë qenë aty në garë për të legjitimuar  skemën korruptive. Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë, në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh.
Recommended