Paloka: Pa Vetting-un e politikes, nuk hyme ne parlament!

  • 6 years ago
Mundësia për një rikthim të opozitës në parlament është një mision i pamundur. Vetting-u në politikë është kushti i panegociueshëm për demokratët.

"Nëse Rama e pranon këtë, sigurisht ne do të hymë në parlament të realizojmë këtë akt ligjor, institucional. Por nëse nuk e bën, dhe as e ka ndërmend ta bëjë, do të reagojmë në formë tjetër. Absolutisht jashtë parlamentit. Në cilin parlament të shkojmë ne? Në atë parlament ku janë përdhunuesit, ata që mbrojnë përdhunuesit, përfaqësuesit e krimit? Aty të shkojmë dhe ne, të bëhemi pjesë, të bëhemi fasadë? Pa u pastruar parlamenti, nuk kemi punë ne në parlament".

Denoncimi i bërë nga ish-Nënkomisari i Krujës, Emiljano Nuhu, i cili akuzon kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe deputetin socialist Rrahman Rrahja si të përfshirë në kërcënim me armë për të mbyllur dosjen e djalit të këtij të fundit, i akuzuar për përdhunim, për Palokën është pasqyra e vërtetë e kriminalizimit të thellë të qeverisjes nën drejtimin e Edi Ramës.

"Kjo është një nga arsyet. Kemi një vajzë jetime të pa mbrojtur, që sot i është vënë në kurriz gjithë shteti, në vend që shteti ta marrë nën mbrojte. Kemi një kryeministër që vazhdon të heshtë për këtë ngjarje. Ai do të flasë dhe nuk do të jetë përdhunuesi i parë që mbron. Ka pasur Roshin më parë, ka mbrojtur dhe kriminelë dhe përdhunues edhe më parë. Dhe këtë do të bëjë edhe tani dhe kjo është fatkeqësi e madhe për të gjithë ne .

Për rrëzimin e qeverisë, Paloka thotë se ka vetëm një rrugë: "Opozita duhet t'i bëjë thirrje popullit të dalë në rrugë dhe të rrëzojë këtë qeveri".

Opozita ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit politik, duke mos përjashtuar edhe idenë e djegies së mandateve, apo edhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje me kryeministër Edi Ramën.

Recommended