Nesër në Kuvend varianti i ri i ligjit për Teatrin Kombëtar, Rama dhe Veliaj takojnë Ruçin

  • 6 years ago
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me kryeparlamentarin, Gramoz Ruçi në Kryesinë e Kuvendit. Në fokus të këtij takimi është dekreti i kreut të shtetit për Teatrin Kombëtar. Kreu i qeverisë shoqërohet edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj si dhe relatori i ligjit për Teatrin, deputeti i PS, Ilir Beqaj. Mes të pranishmëve ishte edhe Vali Bizhga, Drejtoreshë e Kabinetit të kryeministrit si dhe Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.

Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, bën të ditur se në axhendën e takimit Rama-Ruçi është koordinimi për seancën e nesërme të Kuvendit, ku pritet të miratohet varianti i ri i ligjit për Teatrin pas reflektimit në ligj të vërejtjeve të Presidentit dhe BE-së.

Ndërkohë, nga ana tjetër, opozita ka njoftuar për nesër të udhëtojë në drejtim të Vlorës, për të zhvilluar mbledhjen e radhës jashtë Tirana, ndërsa mbetet e paqartë nëse do jenë apo jo në Kuvend, pas thyerjes së bojkotit një ditë më parë duke marrë pjesë në komisionin e Veprimtarive Prodhuese ku u diskutua pikërisht ligji për Teatrin.

Gjithashtu, gjatë seancës së nesërme është parashikuar në rend dite edhe raportimi i kryeprokurores Arta Marku. Për herë të parë që prej marrjes së detyrës, Arta Marku do të pasqyrojë përpara deputetëve punën e Prokurorisë për vitin 2017.

Recommended