Report TV - 'Shullazi', shtyhet pretenca, avokatët kundër prokurorit Hajdarmataj

  • 6 years ago
TIRANE-Shtyhet sërish pretenca për grupin e Emiljano Shullazit. Shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e prokurorit të ri të dosjes Besim Hajdarmataj dhe raporti i prokurorit tjetër Eneid Nakuçi, i cili nuk është paraqitur, pasi është sëmurë. Hajdarmataj ka kërkuar kohë që të njihet me dosjen Shullazi, prandaj kërkoi shtyrjen e seancës për pretencën.

Avokatët kanë kërkuar përjashtimin e prokurorit, ndërsa Hajdarmataj është shprehur se nuk ka asnjë konflikt interesi me këtë dosje. Besim Hajdarmataj u komandua nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela duke zëvendësuar Elisabeta Imerajn në këtë dosje, e cila u komandua Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës nga Arta Marku.

Në seancën e sotme askush nga të pandehurit nuk ishte i pranishëm, ndërsa avokatët lëshuan akuza të forta në drejtim të prokurorisë për zvarritje të procesit. Avokati Ravik Gura u shpreh se ?Besim Hajdarmataj ka sajuar prova në këtë hetim. Kam kërkuar në mënyrë të përsëritur që të vijnë në vëmendje ndërhyrjet e tij. Jemi përpara një veprimi administrativ të organit të akuzës, që e vendosi atë, kjo shkelje nuk duhet toleruar?.

Ndërsa avokati tjetër i të pandehurve, Vladimir Meci tha se ?ky proces po zvarritet, prokuroria nuk është gati, procedimi është pa prova, është i paligjshëm. U vërtetuan provat tona me paligjshmërinë e prokurorisë, ata janë të trembur?.

Pretenca vijon që të shtyhet që nga fundi i muajit qershor, ndërsa seanca e radhës është në datë 25 shtator. Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel "Vollgën" në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

Recommended