Durrës/ Denoncimi i vëllait: Motra më vdiq në urgjenë, mjekët s'e prekën se ishte me baltë!
  • 6 years ago
Durrës- Mjekët e Spitalit të Durrësit janë vënë sërish në shënjestrën e denoncimit për neglizhencë. Këtë radhë janë mjekët e urgjencës të cilët janë akuzuar nga një qytetar që pretendon se bluzat e bardha nuk kanë kryer misionin e tyre dhe për pasojë motra e tij ka ndërruar jetë në duart e tyre.

Albert Dedej thotë se motra e tij Ervehe Dedej, 56-vjeç kishte shkuar në urgjencë pasi kishte kapërdirë një sasi medikamentesh dhe për tre orë me radhë nuk është vizituar nga mjekët.

Sipas tij, bluzat e bardha nuk u angazhuan aspak në këtë rast pasi motra e tij ishte bërë pis teksa ishte rrëzuar në një kanal në zonën e Porto Romanos.

Krahas denoncimit publik, Dedej thotë se do bëjë denoncim edhe në policinë e Durrësit me qëllim që kjo e fundit të nisë hetimet për rastin në fjalë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në urgjencën e Spitalit të Durrësit. Nga ana tjetër, mjekët deklarojnë se rasti është trajtuar me përkushtim maksimal por për fatin e keq pacientja ka ndërruar jetë.

Mjekësia ligjore po punon për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së 56-vjeçares, e cila sipas të afërmve është paraqitur e helmatisur nga medikamentet që kishte gëlltitur.
Recommended